Project Description

KRESHNIK RADONIQI
Kryetar i KQZ-së

Kreshnik Radoniqi është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit nga data 01.07.2019.

Gjyqtari Radoniqi ka diplomuar në fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoj në korrik të vitit 2007. Në maj të vitit 2013 ka përfunduar studimet Master në SHBA – Karolina e Veriut.

Punën profesionale e ka filluar në Gjykatën e Qarkut në Pejë si praktikant nga muaji maj i vitit 2006 deri në maj të vitit 2007. Prej vitit 2007 deri në vitin 2008, punoj si Zyrtar i Lartë Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, ndërsa nga muaji shkurt deri në muajin shtator të vitit 2008, punoj si avokat në Pejë. Gjatë kësaj kohe punoj edhe si Këshilltar Juridik në Agjencinë për Financim në Kosovë.

Nga muaji shtator 2008 e deri në gusht 2012, ka punuar si Këshilltar Ligjor i gjyqtarëve të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Pejë.

Kreshnik Radoniqi është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë në Korrik të vitit 2012, ndërsa me ndryshimin e sistemit gjyqësor nga Janari i vitit 2013, është ri-caktuar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë. Nga muaji nëntor 2015 deri në muajin maj të vitit 2016, punoj gjyqtar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke vazhduar punën në Gjykatën Themelore të Pejës, në po të njëjtin departament.

Me datë 23.12.2016 u emërua Kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë, të cilën detyrë e la për t’u bërë gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit me datë 01.07.2019.

Më 14 qershor, u emërua Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.