Në QNR numërohen votat nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021

24/10/2021

 

Prishtinë, 24 tetor 2021 – Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, për Zgjedhjet Lokale 2021.

Në fillim të numërimit të tyre, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi njoftoi mediat se gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime. Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime.

“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga perosna të njëjtë (168), etj.”, tha Elezi.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, ai bëri të ditur se numërimi i tyre do të bëhet të hënën, më 25 tetor.