Kryetarja e KQZ-së priti në takim ambasadorin amerikan, Philip S. Kosnett

Prishtinë, 14 janar 2021 – Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti në takim ambasadorin amerikan, Philip S. Kosnett.

Kryetarja Daka shprehu mirënjohje për mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara jo vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zonja Daka e njoftoi z. Kosnett lidhur me përgatitjet të cilat është duke i zhvilluar KQZ-ja në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Nga ana e tij, ambasadori Kosnett theksoi rolin e KQZ-së për proceset demokratike në Republikën e Kosovës, duke i përkrahur përpjekjet e KQZ-së për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta për popullin e Kosovës. Ai shprehu mbështetjen për KQZ-në në rolin kyç që ka në organizimin e zgjedhjeve.