Prishtinë, 14 shkurt 2021, 20:00 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e katërt në Ditën e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka njoftoi qytetarët se të gjitha vendvotimet janë mbyllur dhe se ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve.

“Sipas të dhënave preliminare numri i qytetarëve të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar është: 46.90% apo 827 mijë e 984 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues”, njoftoi Daka, e cila shtoi se deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019, kishin votuar 44.18% apo 812 mijë e 49 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

Duke folur në përgjithësi për ecurinë e procesit të votimit, Kryetarja e KQZ-së tha se: “Jam shumë e kënaqur që të deklaroj se sot Kosova tregoi se si duhet të organizohen zgjedhjet paravarësisht sfidave të shumta. E shfrytëzoj rastin që në emër të KQZ-së të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës që në këtë ditë dhanë shembull të një kulture të lartë demokratike”.

Po ashtu, Daka falënderoi edhe subjektet politike për kujdesin e treguar për procesin zgjedhor si dhe inkurajoi anëtarët e këshillave të vendvotimeve që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve të zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet.

Ajo falënderoi edhe institucionet, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe të gjitha institucionet tjera të cilat kanë qenë në krye të detyrës dhe që mundësuan që procesi i votimit të përmbyllet suksesshëm.

Në fund të kësaj konference u bë e ditur se nga ora 19:00 ka filluar afati 24 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e votimit.