Prishtinë, 17 tetor 2021 – Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave.

Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale.

Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2021 është 5,364 kandidatë (M 3,413; F: 1,951), prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetarë të Komunave (M 152; F 14) dhe 5,198 kandidatë për Kuvende Komunale (M 3,261; F 1,937).