Njoftim lidhur me pranimin e materialit zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve

18/10/2021

 

Prishtinë, 18 tetor 2021 – Pas përfundimit të procesit të votimit dhe përfundimit të procesit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi lidhur me ecurinë e procesit pas ditës së zgjedhjeve.

Në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi njoftoi për procedurat që duhet të ndiqen nga KQZ deri në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Pranimi i materialit zgjedhor në QNR

“Pasi të dielën në mbrëmje janë përmbyllur të gjitha procedurat në vendvotime, përfshirë numërimin e fletëvotimeve nga Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe atyre për Kuvende Komunale, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po bëhet pranimi i materialit zgjedhor nga të gjitha vendvotimet. Ky proces është i rëndësisë së veçantë, pasi përmes tij do të dijmë për gjendjen e çdo vendvotimi dhe natyrisht se mund të evidentohen edhe parregullësitë eventuale. Në fund të pranimit të
materialit zgjedhor, do të kemi një raport të detajuar lidhur me gjetjet. Përveç pranimit të materialit zgjedhor, aktualisht po bëhet edhe futja e të dhënave në sistem nga këto vendvotime”, bëri të ditur Elezi.

 

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe organizimi i raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave

Po ashtu, u theksua se “Ligji për Zgjedhjet Lokale parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50% +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, atëherë KQZ-ja është e detyruar të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota. Po sipas ligjit, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë”.

“Prandaj, është e rëndësishme që puna KQZ-së po përqëndrohet në përfundimin e procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave në mënyrë që të shpallim dhe certifikojmë rezultatet përfundimtare, për ta ditur saktë se cilat janë komunat në të cilat duhet të mbahet raundi i dytë dhe që sipas ligjit kjo duhet të bëhet katër javë pas raundit të pare”, tha Elezi.

“Deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare vijmë pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht; votave me postë; votave të personave nevoja të veçanta; pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”.

Koha për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare për Kryetarë të Komunave

I pyetur nga gazetarët se sa kohë i duhet KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare dhe për të certifikuar ato, ai u përgjigj se “Ne nuk mund të japim një datë të saktë se sa ditë i duhen KQZ-së, fillimisht, për të shpallur rezultatet përfundimtare për Kryetarë të Komunave dhe pastaj, për certifikimin e tyre. KQZ-ja do të punojë maksimalisht që ne të arrijmë afatet ligjore, në mënyrë që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedheve për Kryetarë të Komunave, që sipas ligjit duhet të mbahet katër javë pas raundit të dytë. Në të kaluarën, në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ-së i janë nevojitur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për të certifikuar
rezultatin e tyre”.