Prishtinë, 13 korrik 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi punëtorinë për përmirësimin e listës së votuesve, e cila u mbështet nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në këtë takim, morën pjesë, përveç KQZ-së, edhe drejtues të institucioneve të tjera, Blerim Camaj, kryeshef i Agjencisë për Regjistrim Civil, Afërdita Thaçi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, Bujar Basha, udhëheqës i ekipit të zgjedhjeve në OSBE, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve pjesëmarrëse.

Në fillim të takimit, kryetari i KQZ-së u shpreh se tema e listës votuese ka një rol të madh në ndërtimin e një imazhi të përgjithshëm të punës së KQZ-së, por edhe të proceseve zgjedhore.

“Është për t’u çmuar bashkëpunimi ndërmjet institucioneve me qëllim të krjimit të një liste të votuesve sa më të saktë që është e mundur dhe jam i bindur se duhet të vazhdojmë në këtë drejtim”, tha Radoniqi, ndërsa përmendi veprimet që ka ndërmarrë KQZ-ja, në bashkëpunim me institucionet, për pastrimin dhe saktësinë e listës votuese.