Prishtinë, 11 shkurt 2020 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje të kryesuar sipas radhës nga anëtari i KQZ-së, z. Alim Rama.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës.

Nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje, në shumën: 43 mijë e 433 euro. Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Sipas listës jopërfundimtare të regjistrit civil numri i votuesve në komunën e Podujevës është: 86 mijë e 866 votues të regjistruar.