Prishtinë, 21 tetor 2020 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Pas këtij vendimi, KQZ miratoi planin operacional për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut, ndërsa anëtarët u dakorduan që në mbledhjen e radhës të vendoset lidhur me aspektet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës, të cilat ishin shtyrë vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve.

Sipas vendimit të KQZ-së, këto jaën disa nga afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore që përfshijnë komunën e Mitrovicës së Veriut:   

  • Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më
    21 tetor dhe përfundon më 30 tetor 2020;
  • Data e mbajtjes së shortit për renditjen në fletëvotim dhe publikimi i subjekteve dhe kandidatëve është 12 nëntor 2020;
  • Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore fillojnë më 12 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor 2020;
  • Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të subjekteve politike dhe organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve fillon më 27 tetor dhe përfundon më 21 nëntor 2020;
  • Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve ndërkombëtar dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve fillon më 27 tetor dhe përfundon më 23 nëntor 2020;
  • Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fillon më 26 tetor dhe përfundon më 27 tetor 2020;
  • Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 30 tetor dhe përfundon më 7 nëntor 2020;
  • Aplikimi për regjistrim për votuesit e ngujuar në shtëpi fillon 2 nëntor dhe përfundon më 6 nëntor 2020;
  • Afati për regjistrimin për votuesit me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion dhe votuesve në rrethana të veçanta fillon me 16 nëntor dhe përfundon me 19 nëntor 2020;

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe buxhetit shtesë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës. Sipas vendimit të KQZ-së buxheti i planifikuar është në shumën 193 mijë e 181 euro. Në kuadër të këtij buxheti janë paraparë dy raundet, ashtu siç kërkohet me ligj. Pjesa tjetër e shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Podujevës do të mbulohen nga mjetet e alokuara gjatë muajit shkurt të këtij viti për këto zgjedhje.

Gjithashtu, me qëllim të përmbushjes në kohë të të gjitha detyrimeve ligjore për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të këtyre dy komunave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për zgjatjen e orarit të punës për anëtarët dhe stafin.