Prishtinë, 16 shkurt 2021 – Me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e kopjeve të skanuara të formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën të dielën.

Të gjithë të interesuarit do të mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve për secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve të cilët janë plotësuar në vendvotime nga Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve.

Publikimi i formularëve nga komunat tjera është në proces. Pra, pas përfundimit të skanimit të tyre nga ndonjë komunë, formularët do të publikohen në ueb faqen e KQZ-së.

Në këtë vegzë mund të shihni formularët:

Sqarim shtesë: Ky publikim nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare, por këto janë vetëm forma të rezultateve të plotësuara në vendvotime, më 14 shkurt 2021.

Rezultatet Përfundimtare shpallen pas numërimit të votave me kusht; votave përmes postës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.