Prishtinë, 14 shkurt 2021, 15:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë në Ditën e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha para mediave se procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga Qendrat e Votimit numri i qytetarëve e të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 32.32% apo 567 mijë e 934 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues”, njoftoi Daka, e cila shtoi se deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019, kishin votuar 29.28% e votuesve apo 554 mijë e 750 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.

Po ashtu, kryetarja e KQZ-së njoftoi se raportimet e ndryshme në media lidhur me çështje të ndryshme po trajtohen me seriozitet dhe duke bashkëpunuar me institucionet tjera, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.