Konferenca e dytë: Pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 është 8.27% në Podujevë dhe 12.62% në Mitrovicë të Veriut

29/11/2020

Prishtinë, 29 nëntor 2020 – 11:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë në Ditën e Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut.

Në këtë konferencë, ku prezentë ishin edhe anëtarët tjerë të KQZ-së, kryetarja Valdete Daka njoftoi lidhur me ecurinë e procesit të votimit në këtë komunë deri në kohën e raportimit. “Procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë lajmërim për parregullësi gjatë votimit”, u shpreh Daka.

Ajo bëri të ditura edhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00. Sipas të dhënave, në komunën e Podujevës deri në këtë kohë kanë votuar 8.27% apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale 2017 deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%.

Ndërsa, në komunën e në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%.