Është përmbyllur shtypja e fletëvotimeve të Zgjedhjeve Lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor 2021.

Shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Zgjedhjet për Kuvende Komunale është bërë në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, Cetis, në Celje të Sllovenisë.

Procesi i shtypjes është bërë konform standardeve të sigurisë dhe nën mbikëqyrjen e KQZ-së, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Po ashtu, është bërë edhe shtypja e broshurave të kandidatëve të Zgjedhjeve Lokale 2021, të cilat po ashtu do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Vendimi i KQZ-së mbështetët në listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit është: 1 milion e 885 mijë e 448 votues.

Për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për Kuvende Komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve që do të shtypen për dy llojet e zgjedhjeve të 17 tetorit është: 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.

Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare që u mbajtën në muajin shkurt, KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.