main-bg

Zgjedhjet komunale 2009

(Disa nga aktivitetet e organizimit dhe mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale 2009 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të parat zgjedhje të organizuara në mënyrë të pavarur pas shpalljes së pavarësisë së vendit )

Kryetari i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, pas konsultimeve të vazhdueshme me subjektet relevante, ka dekretuar më 16 qershor, ditën e mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale 2009. Zgjedhjet, janë mbajtur më 15 nëntor 2009. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Qendrore dhe Lokale, i ka implemetuar këto zgjedhje me sukses, të parat zgjedhje të organizuara në mënyrë të pavaruar pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.  Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, stafi permanent dhe jo permanent i Sekretariatit të SKQZ-së, në vazhdimësi kanë ndërmarrë detyra dhe aktivitete të shumëta për t’i organizuar dhe mbajtur këto zgjedhje me sukses.

Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve, është realizuar nga institucioni i pavarur KQZ me një varg të gjërë projektesh dhe operacionesh zgjedhore, takimesh dhe mbledhjesh të panumërta qoftë të KQZ-së dhe qoftë të SKQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka punuar në faza të ndryshme: disa herë edhe jashtë orarit të rregullt të punës, përfshirë edhe ditët e pushimit javorë, duke demonstruar kështu mobilizim të plotë dhe të fuqishëm. 


Pjesmarrja e qytetarëve në votime

Lista Përfundimtare Votuese për Zgjedhjet Lokale 2009, është përbërë nga 1.563.741  votues të ndarë në 36 komuna, në 746 qendra votimi dhe, në 2256 vendvotime. Numri i vëzhguesve të akredituar, ka arritur në 19.576 vëzhgues.

Në zgjedhjet e 15 Nëntorit ( në nivel vendi ), rezultati i daljes së qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje ka qenë: 45.36% ose, 709.362 votues. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e ka bërë certifikimin e rezultateve për Kandidatët për Kryetar të Komunave dhe Kandidatët për Këshilltar Komunal, në bazë të nxjerrjes së rezultateve nga QNR dhe, duke u bazuar plotësisht në Ligjin për Zgjedhjet.

Nga rezultatet e zgjedhjeve të 15 Nëntorit, në Raundin e Dytë të Zgjedhjeve kanë shkuar 21 komuna. Rundi i Dytë (balotazhi) për Kryetar Komune, është mbajtur më 13 dhjetor / 2009.


Rivotimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur më 21.12.2009 ka shqyrtuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), lidhur me Raundin e Dytë të Zgjedhjeve. KZAP, ka udhëzuar KQZ-në që me vendimin A nr. 508/ 2009, të urdhëroj ripërsëritjen e votimeve për Kryetar Komune në Lipjan, Prizren dhe  Gjilan. Në mbledhjen e mbajtur më 22.12.2009,  KQZ në shqyrtim të udhëzimit të KZAP-it, ka marrë vendim që zgjedhjet të mbahen në komunën e Prizrenit (8 vota për, 2 kundër dhe 1 apstenim), dhe në komunën e Lipjanit ( 8 vota për, 2 vota kundër dhe, 1 apstenim). Për komunën e Gjilanit, është marrë vendim që të mos përsëriten zgjedhjet por që të hetohen dhe rinumrohen votat nga QNR (6 vota për, 2 vota kundër dhe, 3 apstenime ).

Rivotimi në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit, është mbajtur më 31.01.2010. Ndërsa, edhe pas rinumrimit të votave nga QNR për komunën e Gjilanit, është vendosur që përsëri të rivotohet edhe në këtë komunë. Rivotimi në komunën e Gjilanit, është zhvilluar më 14 mars.