main-bg

Themelimi dhe Organizimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është themeluar në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës, dhe është një organ i përhershëm i pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është përgjegjës për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë. Roli i KQZ-së është të rregullojë procesin elektoral përmes miratimit të Rregullave Zgjedhore dhe, mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në të gjitha aspektet për të siguruar që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare.

KQZ përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë: nga Kryesuesi dhe dhjetë (10) anëtarë të tjerë. Kryesuesi, emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe zgjidhet mes gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Mandati i Kryetarit të KQZ-së është (7) vjet, duke filluar nga data e caktuar për njoftim të emërimit nga Presidenti i Kosovës. Prerogativat e ushtrimit të detyrës së anëtarit të KQZ-së, caktohen në bazë të ligjit dhe, rregullat për ushtrimin e mandatit. Dhjetë (10) anëtarët e tjerë të KQZ-së, janë emëruar si rezultat i nominimeve të gjashtë (6) grupeve parlamentare më të mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe, katër (4) anëtarë që përfaqësojnë komunitetet e vogla në Kosovë.

Anëtarët e KQZ-së janë:

Valdete Daka – Kryetare e KQZ-së

Betim Gjoshi - (përfaqësues i PDK-së) – anëtar

Ilir Gashi  - (përfaqësues i PDK-së) – anëtar

Florian Dushi - (përfaqësues i LDK-së) – anëtar

Adnan Rrustemi - (përfaqësues i VETËVENDOSJE) – anëtar

Binak Vishaj - (përfaqësues i AAK-së) - anëtar

Eshref Vishi - (përfaqësues i NISMA) – anëtar

Bajram Ljatifi - (përfaqësues i VAKAT-it) – anëtar

Ercan Spat - (përfaqësues i KDTP-së) – anëtar

Nenad Rikalo - (përfaqësues i SLS-së) – anëtar

Ergit Qeli - anëtarë / Partia Liberale Egjiptiane

Këshillat e KQZ-së

KQZ ka katër këshilla të përhershëm:

  • Këshillin për Operacione Zgjedhore.
  • Këshillin e Procedurave
  • Këshillin për Buxhet dhe Prokurim dhe
  • Këshillin e Personelit

Roli i këtyre këshillave është që të zgjidhin çështje të caktuara dhe, t’i përcjellin për miratim rekomandimet, raportet, sugjerimet dhe mendimet tek KQZ-ja. Këshillat përbëhen nga pesë (5) anëtarë nga radhët e KQZ-së.

Këshilli për Operacione Zgjedhore: Këshillon dhe ndihmon SKQZ-në në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe, Kuvendet Komunale në Kosovë. Këshilli për Operacione Zgjedhore, angazhohet në hartimin dhe zbatimin e Planit Operativ të Zgjedhjeve sipas miratimit nga ana e  KQZ-së. Këshilli për Operacione Zgjedhore ndërlidhet me KQZ-në dhe SKQZ-në për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjet e zgjedhjeve. Këshilli (pas shqyrtimeve dhe  këshillimeve me SKQZ-në), i propozon KQZ-së ndryshime në afatet kohore dhe në ndarjen e resurseve financiare dhe njerëzore për aktivitete të ndryshme zgjedhore të miratuara paraprakisht në Planin Operativ të Zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. KQZ-ja do t’ua adresojë të gjitha çështjet e personelit, buxhetit, prokurimit dhe çështjet procedurale që kanë të bëjnë me operacionet e zgjedhjeve, këshillave gjegjës për veprim adekuat nga ana e tyre. 

Këshilli i Procedurave: Ky këshill përgatit procedurat e zgjedhjeve të domosdoshme për zhvillimin zgjedhjeve ashtu siç përshkruhen në legjislacionin përkatës, si dhe të procedurave për pagesën e shpenzimeve të udhëtimit dhe të shpenzimeve të reprezentacionit dhe, për shfrytëzimin e mjeteve të KQZ-së nga personeli i KQZ-së dhe i SKQZ-së, siç janë telefonat (fiks dhe mobil), aparatura teknike dhe automobilat.

Këshilli i Buxhetit dhe Prokurimit: Përgatit propozimin e buxhetit vjetor për KQZ-në, shqyrton gjendjen e buxhetit ekzistues, shqyrton propozimet për prokurim nga buxheti i KQZ-së dhe, harton raporte për KQZ-në përkitazi me buxhetin.

Këshilli i Personelit: Këshilli i Personelit monitoron çështjet e personelit në SKQZ-së, shqyrton dhe propozon organogramin dhe përshkrimin e detyrave të punës.