main-bg

Pyetjet më të Shpeshta - Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës 2017

Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës 2017

Pyetjet më të shpeshta


1.  Kush mund të votojë?

-  Çdo person ka të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 22 tetorit nëse, i ka mbushur tetëmbëdhjetë (18) vjet në ditën kur mbahen zgjedhjet dhe e plotëson njërin prej kritereve vijuese:  1) Është i regjistruar si qytetar i Kosovës në Regjistrin Civil. 2) Banon jashtë Kosovës në, apo pas 1 janarit 1998. 3). Ka fituar statusin e refugjatit në, apo pas 1 janarit 1995, dhe ka të drejtë për t’u regjistruar në Regjistrin Qendror Civil si banor i Kosovës. Në anën tjetër, personat që nuk kanë të drejtë vote janë ata që: 1) Ju është shqiptuar dënimi nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. 2) Janë të akuzuar nga Tribunali, dhe kanë dështuar t’i binden urdhrit për t’u paraqitur para Tribunalit. 3) Janë shpallur mentalisht të paaftë me vendim të prerë gjyqësor. 


2.  Çfarë dokumente identifikimi mund të përdoren për të votuar?

-  Letërnjoftimi i vlefshëm i Kosovës. 2) Pasaporta e vlefshme e Kosovës. 3) Dokumenti i vlefshëm i udhëtimit.  4) Leja e vozitjes e vlefshme e Kosovës. 5) Kartela e vlefshme e personave të zhvendosur brenda vendit (PZHBV); ose Kartela e vlefshme e refugjatit (Neni 90 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës).Votuesi ditën e zgjedhjeve që posedon ndonjërin nga dokumentet e parapara në nenin 90 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme mund të votoj pavarësisht skadimit të afatit të dokumenteve të UNMIK-ut, por që i njëjti duhet të jetë i regjistruar në Listën e Votuesve.


3.  Ku e kam Qendrën e Votimit?

-  Qendrën tuaj të votimit, mund ta gjeni duke e shkruar numrin tuaj personal këtu: http://eomp.kqz-ks.org/VCChangeRequests/Index.


4.  Kur publikohet Lista e Votuesve, dhe ku?

-  Lista e Votuesve publikohet më 21 shtator 2017, në Ueb faqen e KQZ-së (www.kqz-ks.org) dhe do të vendoset në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor.

5.  Kur publikohet lista e kandidatëve, dhe ku mund ta gjej?

-  Lista e kandidatëve për Kryetar/e Komune dhe Kuvende Komunale publikohet më 31 gusht 2017, në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org


6.  Pse është numri i votuesve më i lartë se numri i popullatës në rezultatet e regjistrimit të popullatës së Kosovës

-  Lista e votuesve dhe regjistrimi janë të ndryshme. Regjistrimi përfshin vetëm banorët e Kosovës në kohën e regjistrimit, i cili nuk përfshin qytetarët që jetojnë jashtë (diaspora e Kosovës). Lista e votuesve, nga ana tjetër, përfshin qytetarët e Kosovës që jetojnë në Kosovë dhe jashtë vendit dhe që kanë të drejtë të votojnë. Për informacionin tuaj, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 11 qershorit të ishin 1,888,059 votues të regjistruar. 


7.  Kur fillon fushata zgjedhore dhe sa kohë zgjatë?

-  Fushata zyrtare zgjedhore fillon më 21 shtator 2017, dhe zgjatë 30 ditë. Heshtja zgjedhore, është më 21 tetor 2017, kur nuk lejohet asnjë aktivitet i fushatës zgjedhore.


8.  Ku mund t’i gjej materialet e KQZ-së për informim publik?

-  Të gjitha materialet për informim të votuesve mund të gjenden në Ueb faqen e KQZ-së (www.kqz-ks.org) , dhe nëpër media sociale të KQZ-së.

o  Facebook: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

o  Twitter:KQZKosova

o  Youtube:KQZKosova

-  Informatat publike, do të shpërndahen edhe përmes televizioneve, radios, gazetave dhe portaleve online të lajmeve


9.  Si mund të angazhohem në zgjedhje?

-  Ka mënyra të ndryshme për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Përveç votimit, ju mund ta raportoni çdo shkelje dëshmitarë të së cilës jeni,   në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Gjithashtu, mund të akreditoheni për t’i vëzhguar zgjedhjet duke iu bashkuar grupeve të vëzhguesve lokal të subjekteve politike apo organizatave të shoqërisë civile, si dhe duke punuar me stafin e zgjedhjeve përmes angazhimit të drejtpërdrejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ose duke u emëruar si anëtar i Këshillave të Vendvotimit nga subjektet politike dhe në disa raste nga organizatat e shoqërisë civile.


10.  Kush mund t’i vëzhgojë zgjedhjet?

-  Subjektet politike të certifikuara, organizatat jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare, dhe mediat mund të akreditohen dhe të vëzhgojnë zgjedhjet. Nëse jeni të interesuar për t’i vëzhguar zgjedhjet, ju duhet t’i bashkoheni njërës prej këtyre subjekteve për të vëzhguar në zgjedhje.

a.  Çka më duhet për t’u akredituar për vëzhgim të zgjedhjeve?

·  Ju mund të vëzhgoni zgjedhjet duke iu bashkëngjitur misioneve të vëzhgimit të organizatave të shoqërisë civile apo subjektit politik të zgjedhjes tuaj. Nëse jeni vëzhgues nga një subjekt politik i certifikuar apo ndonjë organizatë lokale joqeveritare subjekti juaj duhet ta plotësojë Formularin e akreditimit të vëzhguesve dhe ta plotësoj listën e kërkuar me të dhënat për çdo vëzhgues. Përveç kësaj, subjekti juaj duhet t’i dorëzojë Deklaratat e vëzhguesve, të cilat duhet të nënshkruhen nga të gjithë vëzhguesit. Nuk mund t’i vëzhgoni zgjedhjet nëse: 1) Jeni kandidat në këto zgjedhje. 2) Jeni pjesëtar i forcave të policisë. 3) Jeni pjesëtar i ushtrisë, pjesëtar i njësisë së inteligjencës në Kosovë.

b.  Çfarë role kanë vëzhguesit?

·  Vëzhguesit, duhet të jenë neutral dhe nuk mund të ndërhyjnë apo të ndikojnë në procesin zgjedhor në asnjë mënyrë.


11.  Kush përfshihet nën kategorinë e votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta’?

-  Kategoria e votuesve me nevoja dhe rrethana të veçanta përfshinë njerëz të cilët, nuk mund të dalin nga shtëpia, personat nëpër spitale dhe burgje, ose raste tjera kur njerëzit janë të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe nuk mund të dalin për të votuar për shkaqe sigurie.


12.  Si të votoj në qoftë se jam votues me nevoja dhe rrethana të veçanta?

-  KQZ-ja i dërgon ekipet mobile për të lehtësuar procesin e votimit për votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të aftësisë së kufizuar, arsyeve shëndetësore ose arsyeve tjera. Ju duhet të regjistroheni për këtë shërbim duke e plotësuar këtë Formular, dhe ta dorëzoni në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve së bashku me një kopje të letërnjoftimit dhe diagnozën mjekësore apo dokumentet mbështetëse të cilat tregojnë pse ju duhet ky shërbim. Dokumentet, mund të dorëzohen nga ndonjë anëtar i familjes i cili gjithashtu duhet ta ketë kopjen e letërnjoftimit të tij/saj, nga 23 gusht deri më 7 tetor 2017.


13.  Kur mund të votoj?

-  Mund të votoni në ditën e zgjedhjeve në çdo kohë, prej orës 7:00, deri në ora 19:00. Në orën 19:00, mbyllen qendrat e votimit dhe fillon numërimi.


14.  Si plotësohet fletëvotimi?

-  Në Zgjedhje Lokale votuesit do të marrin dy fletëvotime – një për  Kryetar/e Komune dhe një për Kuvend Komunal. Kur të merrni fletëvotimet në ditën e zgjedhjeve, së pari sigurohuni që fletëvotimet që merrni janë të vulosura, sepse vetëm fletëvotimet e vulosura janë të vlefshme.

Në fletëvotimin për Kryetar/e Komune, i cili ka kornizë të verdhë, ju do të keni një listë të kandidatëve që do të garojnë për Kryetar/e të komunës tuaj, dhe ju duhet të zgjedhni vetëm një kandidat/e, duke shënjuar në pjesën para emrit të tyre.

Në fletëvotimin për Kuvend Komunal, i cili ka kornizë të kaltër, ju keni subjektet politike  në anën e majtë dhe katrorët  për kandidatë në anën e djathtë. Ju duhet të zgjedhni vetëm 1 subjekt politik në anën e majtë dhe vetëm 1 kandidat/e në anën e djathtë. Në çdo kabinë të votimit, gjendet lista e kandidatëve për informimin tuaj. 

Çfarëdo mënyre tjetër e plotësimit të fletëvotimit mund të rezultojë që fletëvotimi juaj të bëhet i pavlefshëm. Këto mënyra përfshijnë:

·  Shënjimi i më shumë se një subjekti politik në anë të majtë

·  Shënjimi i fletëvotimit në atë mënyrë, ku shënjimi juaj mbulon  më shumë se një subjekt politik apo më shumë se një katrorë  për kandidatë

·  Çfarëdo shënimi tjetër në fletëvotim përpos shënjimit të opsioneve të ofruara siç është shkrimi i numrit të kandidatit pas emrit të subjektit politik.


15.  Si numërohen votat?

-  Votat e hedhura në vendvotim numërohen në atë vendvotim, pas mbylljes së qendrave të votimit. Ato numërohen nga stafi i vendvotimit, nën vëzhgimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Votat për subjektin politik numërohen së pari, e pastaj votat për kandidatët. Rezultatet futen në  Formularët e Përputhjes së Rezultateve (FPR), dhe në Formularin e Rezultateve për Kandidatë (FRK), më pas dorëzohen në formë elektronike tek KQZ për të përgatitur rezultatet preliminare. Fletëvotimet me kusht, fletëvotimet nga jashtë, dhe fletëvotimet nga votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).


16.  Kur mund t’i shoh rezultatet preliminare dhe si?

-  Rezultatet preliminare mund të shihen në Ueb faqen e KQZ-së disa orë pas mbylljes së vendvotimeve. Rezultatet mblidhen duke i marrë informatat nga Formularët e Përputhjes së Rezultateve dhe duke i dërguar në mënyrë elektronike tek baza e të dhënave të rezultateve preliminare të KQZ-së. Këto rezultate preliminare nuk do të përfshijnë votat me kusht, votat nga jashtë, dhe votat nga votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta të cilat numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 


17.  A mund t’i raportoj shkeljet? Nëse po, si?

-  Mund t’i raportoni shkeljet duke telefonuar falas në 0 800 55 555. Raporti juaj shënohet dhe pastaj varësisht nga shkelja, KQZ-ja koordinohet me stafin në terren për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.


18.  Kush mund të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe si?

-  Të gjithë qytetarët me të drejtë vote, përfaqësuesit e subjekteve politike, anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve, dhe vëzhguesit vendor kanë të drejtë ankese. Ankesa duhet: 1) Të parashtrohet nga personi me të drejtë ankese. 2) Të dorëzohet brenda afatit të kërkuar. 3) Të dorëzohet me shkrim duke e plotësuar formularin nga PZAP që mund të gjendet në Sekretariatin e PZAP-it, në Ueb faqen e PZAP-s, dhe në të gjitha vendvotimet. 4) T’i referohet shkeljes specifike të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhjet Lokale, dhe rregulloreve të KQZ-së. 5) Të nënshkruhet nga personi që e parashtron ankesën. 


19.  Çfarë ndodh me shkelësit e zgjedhjeve?

Shkeljet e zgjedhjeve janë të dënueshme me ligj, dhe dënimi ndryshon nga lloji i shkeljes, duke filluar nga gjobat e deri në burgim. Më poshtë janë dhënë disa nga dënimet për aktivitete zgjedhore sipas Kodit Penal të Kosovës: 


Lloji i shkeljes

Dënimi

Ndalimi ose pengimi i personit nga kandidimi në zgjedhje.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Detyrimi i ndonjë kandidati që ta tërheqë kandidaturën.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Pengimi i kandidatit nga aktivitetet e fushatës.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Pengimi i votuesit gjatë votimit ose ndikimi në zgjedhjen e tyre.

Burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 5 vjet burg.

Shpërdorimi i pozitës zyrtare të stafit zgjedhor.

Gjobë dhe burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Marrja ose dhënia e ryshfetit në lidhje me votimin.

Burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Ndërmjetësimi i ryshfetit në lidhje me votimin.

Burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Votimi ose tentativa për të votuar: 1) Në emër të dikujt tjetër. 2) Më shumë se një herë, dhe/ose 3) Duke e përdorur më shumë se një listë të votuesve.

Burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Pengimi ose ndalimi i paligjshëm i procesit të votimit.

Burgim nga 1 deri në 2 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Shkelja e privatësisë në votim.

Burgim deri në 6 muaj. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 1 vjet burg.

Falsifikimi i rezultateve.

Burgim nga 1 deri në 3 vjet.

Dëmtimi i dokumenteve të votimit.

Burgim nga 1 deri në 3 vjet.