main-bg

Pyetjet më të Shpeshta - Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2017

Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës 2017

Pyetjet më të shpeshta


1.  Kush mund të votojë?

-  Çdo person ka të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 11 qershorit nëse, i ka mbushur tetëmbëdhjetë (18) vjet në ditën kur mbahen zgjedhjet dhe e plotëson njërin prej kritereve vijuese:  1) Është i regjistruar si qytetar i Kosovës në Regjistrin Civil. 2) Banon jashtë Kosovës në, apo pas 1 janarit 1998. 3). Ka fituar statusin e refugjatit në, apo pas 1 janarit 1995, dhe ka të drejtë për t’u regjistruar në Regjistrin Qendror Civil si banor i Kosovës. Në anën tjetër, asnjë person nuk mund të votojnë nëse: 1) Është duke vuajtur dënimin e shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. 2) Është i akuzuar nga Tribunali, dhe ka dështuar t’i bindet urdhrit për t’u paraqitur para Tribunalit. 3) Është shpallur mentalisht i paaftë me vendim të prerë gjyqësor. 


2.  Pse numri i votuesve është më i lartë sesa numri i popullsisë nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Kosovë?

-  Lista Votuese dhe Regjistrimi i Popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen ata që jetojnë jashtë vendit (diaspora), ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.


3.  Çfarë dokumente identifikimi mund të përdoren për të votuar?

- 1) Letërnjoftimi i vlefshëm, 2) Pasaporta e vlefshme, 3) Dokumenti i vlefshëm i udhëtimit,  4) Leja e vozitjes e vlefshme, 5) Kartela e vlefshme e personave të zhvendosur brenda vendit (PZHBV); ose Kartela e vlefshme e refugjatit (Neni 90 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës). Votuesi ditën e zgjedhjeve që posedon ndonjërin nga dokumentet e parapara në nenin 90 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme mund të votoj pavarësisht skadimit të afatit të dokumenteve të UNMIK-ut, por që i njëjti duhet të jetë i regjistruar në Listën e Votuesve.


4.  Ku e kam Qendrën e Votimit?

-  Qendrën tuaj të votimit, mund ta gjeni duke e shkruar numrin tuaj personal në këtë faqe: http://eomp.kqz-ks.org/VCChangeRequests/Index.


5.  Si mund ta ndërroj Qendrën e Votimit?

-  Mund ta ndërroni Qendrën e Votimit gjatë periudhës së shërbimit të votuesve, duke e vizituar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor apo online nëpërmjet platformës (http://eomp.kqz-ks.org/VCChangeRequests/Index). Pasi që ta gjeni qendrën tuaj të votimit, ju e keni mundësinë për ta ndërruar qendrën e votimit duke klikuar butonin përkatës. Pas klikimit, platforma ju tregon qendrat e votimit në komunën tuaj, dhe ju mund ta klikoni qendrën më të përshtatshme për ju. Pastaj e bashkëngjitni kopjen e skanuar ose fotografinë e letërnjoftimit dhe e plotësoni formularin. Pas miratimit të kërkesës suaj, ju njoftoheni nga KQZ-ja.


6.  Kur publikohet Lista e Votuesve, dhe ku?

-  Lista e Votuesve publikohet më 25 maj 2017, në Ueb faqen e KQZ-së.


7.  Cilat janë afatet për t’i kundërshtuar të dhënat në listën e votuesve? 

-  Periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit, është prej 25 deri më 28 maj 2017, kur ju mund t’i kontestoni të dhënat në listën e votuesve.


8.  Kur publikohet lista e kandidatëve, dhe ku mund ta gjej?

-  Lista e kandidatëve publikohet më 24 maj 2017, dhe mund ta gjeni në Ueb faqen e KQZ-së.


9.  Kur fillon fushata zgjedhore dhe sa kohë zgjatë?

-  Fushata zyrtare zgjedhore fillon më 31 maj 2017, dhe zgjatë 10 ditë. Heshtja zgjedhore, është më 10 qershor 2017, kur nuk lejohet asnjë aktivitet i fushatës zgjedhore.


10.  Ku mund t’i gjej materialet e KQZ-së për informim publik?

-  Të gjitha materialet për informim publik të KQZ-së mund të gjenden në Ueb faqen e KQZ-së, dhe nëpër media sociale të KQZ-së. Informatat publike, do të shpërndahen edhe përmes televizioneve, radios, gazetave dhe portaleve online të lajmeve.


11.  Si mund të angazhohem në zgjedhje?

-  Ka mënyra të ndryshme për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Përveç votimit, ju mund ta raportoni çdo shkelje që e shihni në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Gjithashtu, mund të akreditoheni për t’i vëzhguar zgjedhjet duke iu bashkuar vëzhguesve të subjekteve politike apo organizatave të shoqërisë civile, si dhe duke punuar me stafin e zgjedhjeve përmes angazhimit të drejtpërdrejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ose duke u emëruar si anëtar i Këshillave të Vendvotimit nga subjektet politike dhe në disa raste nga organizatat e shoqërisë civile.


12.  Kush mund t’i vëzhgojë zgjedhjet?

-  Subjektet politike të certifikuara, organizatat jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare (OJQ), dhe mediat mund të akreditohen për t’i vëzhguar zgjedhjet. Nëse jeni të interesuar për t’i vëzhguar zgjedhjet, ju duhet t’i bashkoheni njërës prej këtyre subjekteve për të vëzhguar në zgjedhje.

a.  Çka më duhet për t’u akredituar për vëzhgim të zgjedhjeve?

- Nëse jeni vëzhgues nga ndonjë subjekt politik i certifikuar apo OJQ lokale apo ndërkombëtare, subjekti juaj duhet ta plotësojë Formularin e akreditimit të vëzhguesve dhe ta plotësoj listën e kërkuar me të dhënat për çdo vëzhgues. Përveç kësaj, subjekti juaj duhet t’i dorëzojë Deklaratat e vëzhguesve, të cilat duhet të nënshkruhen nga të gjithë vëzhguesit. Nuk mund t’i vëzhgoni zgjedhjet nëse: 1) Jeni kandidat në këto zgjedhje. 2) Jeni pjesëtar i forcave të policisë. 3) Jeni pjesëtar i ushtrisë, pjesëtar i njësisë së inteligjencës në Kosovë.

b.  Çfarë role kanë vëzhguesit?

-  Vëzhguesit, duhet të jenë neutral dhe nuk mund të ndërhyjnë apo të ndikojnë në procesin zgjedhor në asnjë mënyrë.


13.  Si mund të votoj nëse jetoj jashtë shtetit?

-  Nëse jetoni jashtë shtetit, ju duhet të aplikoni për këtë shërbim duke e plotësuar Formularin e regjistrimit, i cili mund të gjendet në Ueb faqen e KQZ-së, dhe ta dorëzoni formularin së bashku me një kopje të letërnjoftimit deri më 22 maj 2017 nëpërmjet postës, e-mailit ose faksit. Nëse aplikacioni pranohet, ju e pranoni konfirmimin nga KQZ-ja së bashku me fletëvotimin. Pastaj e plotësoni fletëvotimin, e futni në zarfin e fshehtësisë, i cili nuk duhet të ketë asnjë shenjë, dhe pastaj e futni atë zarf në zarfin tjetër. Në zarfin kthyes me adresën e KQZ-së e fusni një kopje valide të dokumentit identifikues dhe një shënim që përmban emrin, mbiemrin, emrin e prindit dhe datën e lindjes. Pakoja duhet të dërgohet në adresën e mëposhtme:

Komisioni Qendror i ZgjedhjeveVotimi Përmes PostësPosta 6, kutia postare 35110000 PrishtinëRepublika e Kosovës


14.  Kush përfshihet nën kategorinë ‘votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta’?

-  Kategoria e votuesve me nevoja dhe rrethana të veçanta përfshinë njerëz të cilët, nuk mund të dalin nga shtëpia (kryesisht me aftësi të kufizuara ose me sëmundje), njerëzit nëpër spitale dhe burgje, ose raste tjera kur njerëzit janë të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe nuk mund të dalin për të votuar për shkaqe sigurie.


15.  Si të votoj në qoftë se jam votues me nevoja dhe rrethana të veçanta?

-  KQZ-ja i dërgon ekipet mobile për të lehtësuar procesin e votimit për votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të aftësisë së kufizuar, arsyeve shëndetësore ose arsyeve tjera. Ju duhet të regjistroheni për këtë shërbim duke e plotësuar këtë Formular, dhe ta dorëzoni në zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve së bashku me një kopje të letërnjoftimit dhe diagnozën mjekësore apo dokumentet mbështetëse të cilat tregojnë pse ju duhet ky shërbim. Dokumentet, mund të dorëzohen nga ndonjë anëtar i familjes i cili gjithashtu duhet ta ketë kopjen e letërnjoftimit të tij/saj, nga 25 deri më 28 maj 2017.


16.  Kur mund të votoj?

-  Mund të votoni në ditën e zgjedhjeve në çdo kohë prej orës 7:00, deri në ora 19:00. Në orën 19:00, mbyllen qendrat e votimit dhe fillon numërimi.


17.  Si plotësohet fletëvotimi?

-  Së pari sigurohuni se fletëvotimin që e keni marrë është i vulosur, sepse vetëm fletëvotimet e vulosura janë të vlefshme. Në fletëvotim e shënjoni një subjekt politik në anën e majtë, dhe deri në 5 kandidatë në anën e djathtë. Në çdo kabinë të votimit, gjendet lista e kandidatëve për informimin tuaj. 


18.  Si numërohen votat?

-  Votat në qendrën e votimit numërohen në vendvotim, pas mbylljes së vendvotimeve. Ato numërohen nga stafi i vendvotimit, nën vëzhgimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Votat për subjektin politik numërohen së pari, e pastaj votat për kandidatët. Rezultatet futen në  Formularët e Përputhjes së Rezultateve (FPR), dhe në Formularin e Rezultateve për Kandidatë (FRK), dhe më pas dorëzohen në formë elektronike në Ueb faqen e KQZ-së. Këto janë votat e vetme që numërohen në vendvotim. Votat me kusht, votat nga jashtë, dhe votat nga votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).


19.  Kur mund t’i shoh rezultatet preliminare dhe si?

-  Rezultatet preliminare mund të shihen në Ueb faqen e KQZ-së disa orë pas mbylljes së vendvotimeve. Rezultatet mblidhen duke i marrë informatat nga Formularët e Përputhjes së Rezultateve nga çdo vendvotim dhe duke i futur në bazën e të dhënave të rezultateve të KQZ-së. Këto rezultate preliminare nuk i përfshijnë votat me kusht, votat nga jashtë, dhe votat nga votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta të cilat numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. 


20.  A mund t’i raportoj shkeljet? Nëse po, si?

-  Mund t’i raportoni shkeljet duke telefonuar falas në 0 800 55 555, i cili ju lidhë direkt me Dhomën e Operacioneve të KQZ-së. Raporti juaj shënohet dhe pastaj varësisht nga shkelja, KQZ-ja koordinohet me stafin në terren dhe nëse, është e nevojshme me forcat e policisë dhe me prokurorët e terrenit për ta adresuar shkeljen.


21.  Kush mund të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe si?

-  Të gjithë qytetarët me të drejtë vote, përfaqësuesit e subjekteve politike, anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve, dhe vëzhguesit vendor kanë të drejtë ankese. Ankesa duhet: 1) Të parashtrohet nga personi me të drejtë ankese. 2) Të dorëzohet brenda afatit të kërkuar. 3) Të dorëzohet me shkrim duke e plotësuar formularin nga PZAP që mund të gjendet në Sekretariatin e PZAP-it, në Ueb faqen e PZAP-s, dhe në të gjitha vendvotimet. 4) T’i referohet shkeljes specifike të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjit për Zgjedhjet Lokale, dhe rregulloreve të KQZ-së. 5) Të nënshkruhet nga personi që e parashtron ankesën. 


22.  Çfarë ndodh me shkelësit e zgjedhjeve?

-  Shkeljet e zgjedhjeve janë të dënueshme me ligj, dhe dënimi ndryshon nga lloji i shkeljes, duke filluar nga gjobat e deri në burgim. Më poshtë janë dhënë disa nga dënimet për aktivitete zgjedhore sipas Kodit Penal të Kosovës:


Lloji i shkeljes

Dënimi

Ndalimi ose pengimi i personit nga kandidimi në zgjedhje.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Detyrimi i ndonjë kandidati që ta tërheqë kandidaturën.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Pengimi i kandidatit nga aktivitetet e fushatës.

Gjobë ose burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Pengimi i votuesit gjatë votimit ose ndikimi në zgjedhjen e tyre.

Burgim deri në 1 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 5 vjet burg.

Shpërdorimi i pozitës zyrtare të stafit zgjedhor.

Gjobë dhe burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Marrja ose dhënia e ryshfetit në lidhje me votimin.

Burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Ndërmjetësimi i ryshfetit në lidhje me votimin.

Burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Votimi ose tentativa për të votuar: 1) Në emër të dikujt tjetër. 2) Më shumë se një herë, dhe/ose 3) Duke e përdorur më shumë se një listë të votuesve.

Burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Pengimi ose ndalimi i paligjshëm i procesit të votimit.

Burgim nga 1 deri në 2 vjet. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 3 vjet burg.

Shkelja e privatësisë në votim.

Burgim deri në 6 muaj. Nëse përdoret forcë fizike gjatë procesit, dënimi mund të shkojë deri në 1 vjet burg.

Falsifikimi i rezultateve.

Burgim nga 1 deri në 3 vjet.

Dëmtimi i dokumenteve të votimit.

Burgim nga 1 deri në 3 vjet.