main-bg

KQZ dhe BE nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi lidhur me vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017.

Në emër të KQZ-së nënshkroi kryetarja, Valdete Daka, ndërsa në emër të BE-së, Shefja e Zyrës së BE-së / Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.


Në fillim të fjalës së saj, kryetarja Daka u shpreh se për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vëzhgimi i zgjedhjeve është njëra nga pjesët thelbësore të një procesi zgjedhor dhe se nënshkrimi i këtij Memorandumi është shprehje e përkushtimit të këtij institucioni për avancimin e procesit zgjedhor në Kosovë.


“Si çdo herë, Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian është i mirë se ardhur në Kosovë. Ky mision ka qenë prezent edhe në Zgjedhjet e 11 qershorit dhe KQZ-ja ka adresuar me seriozitet rekomandimet preleminare të këtij misioni, për çfarë ka hartuar një Plan Veprimi për zbatimin e tyre”, tha Daka. Ajo u bëri thirrje mediave, subjekteve politike të certifikuara, organizatave vendore e ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve si dhe përfaqësuesve të vendëve të huaja – që të dorëzojnë në KQZ kërkesat e tyre për akredimin e tyre si vëzhgues të zgjedhjeve.


Shefja e Zyrës së BE-së / Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se është e kënaqur që BE do të dërgojë një mision vëzhgues për këto zgjedhje lokale, gjë që e konfirmon përkushtimin e BE-së për Kosovën dhe zhvillimin e saj demokratik.


"Më lejoni t'i rikujtoj fjalët e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini, e cila na përkujtoi këtë të hënë në Bled se cdo partner i joni në rajon, përfshirë Kosovën, ka perspektivë drejt Bashkimit Evropian. Njerëzit e Kosovës i duan dhe i meritojnë mundësitë, mbrojtjet dhe të drejtat e njejta sikur të gjithë qytetarët e tjerë të kontinentit tonë. Prandaj, kur ne i ftojmë politikbërësit e Kosovës që të fokusohen në reforma, në cështjet me rëndësi për njerëzit dhe jetën e tyre të përditshme, duhet ta dini se e bëjmë këtë sepse ne dëshirojmë që Kosova të ketë sukses.  Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kontribut i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi."