main-bg

KQZ-ja shënoi Ditën Globale të Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi për të pestën herë me radhë Ditën Globale të Zgjedhjeve.

Me rastin e kësaj dite, në një ngjarje solemne u publikua dokumenti me titull: “Zgjedhjet në Kosovë 2000 – 2014”, i cili është përmbledhje e të dhënave të proceseve zgjedhore për këtë periudhë katërmbëdhjetë vjeçare. 


Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka foli për historikun e kësaj dite dhe për avancimin e proseve zgjedhore në Kosovë. “Përmes shënimit të kësaj dite duam të shprehim përkushtimin tonë për të vazhduar në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore si institucion i pavarur”, tha Daka.  


Gjatë prezantimit të këtij dokumenti, i cili publikohet me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, kryetarja Daka bëri të ditur se aty paraqiten të dhëna që kanë karakterizuar proceset zgjedhore në Kosovë, që nga viti 2000 kur për herë të parë organizohen zgjedhjet pas luftës dhe deri në zgjedhjet e fundit të vitit 2014.  


Ndërsa, duke folur për vitin 2017, i cili në kalendarin e KQZ-së është vit zgjedhor, pasi do të mbahen Zgjedhjet Lokale, kryetarja Daka theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhohet maksimalisht për të përmbushur me sukses detyrat e tij. 


Në fund, Daka falënderoi qytetarët për besimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Subjektet Politike, Shoqërinë Civile dhe Mediat për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve. Gjithashtu, falënderim të veçantë shprehu edhe për Misionin e OSBE-së në Kosovë që ka ndihmuar në zhvillimin e KQZ-së dhe për USAID-in e IFES-in për mbështetjen e vazhdueshme. 


Dita Globale e Zgjedhjeve shënohet në shumë shtete që nga viti 2005 kur ekspertët e zgjedhjeve nga e gjithë bota morën pjesë në Konferencën Globale me Zyrtarët e Zgjedhjeve në Hungari. Nëpërmjet kësaj konference ata dërguan mesazhin lidhur me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën. 

Kjo ditë ka për qëllim informimin e publikut për të arriturat dhe sfidat e reja që lidhen me zgjedhjet.