Kriteret e zotësisë juridike
Për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës më 12 dhjetorë 2010, duhet të aplikoni për t’u përfshirë në listën e votuesve dhe të dëshmoni se i plotësoni disa kërkesa. Nëse jeni aplikant i ri, duhet të siguroni fotokopje të dokumenteve mbështetëse me të cilat dëshmohet aplikimi juaj (siç ceken më poshtë).
SHËNIM: Nëse jeni regjistruar më parë për të votuar përmes postës në zgjedhjet e mëparshme të Kosovës, ose jeni të regjistruar në Regjistrin Qendror Civil, ju tashmë keni dëshmuar këto kërkesa dhe nevojitet vetëm të dëshmoni identitetin tuaj për t’u përfshirë në Listën e votuesve jashtë Kosovës.
Për t’u përfshirë në Listën e votuesve jashtë Kosovës, kriteret që duhet të dëshmohen janë:
1. Identiteti juaj
2. Mosha juaj
3. Të keni kryer regjistrimin civil në KosovëOSE
4.1 Të keni qenë banor i Kosovës më 1 janar 1998 DHE
4.2 T’i plotësoni disa kritere të zotësisë juridike civile
1. Identiteti juaj
Për të dëshmuar identitetin tuaj, dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar me fotografinë tuaj.
Shembull: Dokumenti i vlefshëm i identifikimit , pasaporta e vlefshme, dokument udhëtimi i vlefshëm, patent shoferi e vlefshme, dokument i vlefshëm i ë zhvendosurve, dokument i vlefshëm i Refugjateve etj.
DHE
2. Mosha juaj
Duhet t’i keni mbushur së paku 18 vjet më 12 dhjetor 2010. Për të dëshmuar moshën tuaj, dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar në të cilin tregohet data e lindjes suaj. Fotografia nuk është e domosdoshme.
Shembull: Njësoj si pika 1 më lart dhe/ose certifikatën e lindjes, librezën e shëndetësisë, kartelën e anëtarësisë në shoqatë, etj.
DHE QOFTË SE
3. Të keni kryer regjistrimin civil në Kosovë
Nëse jeni në Regjistrin civil të Kosovës dhe mund ta dëshmoni këtë sipas pikave 1 dhe 2, ju keni zotësi juridike për të votuar.
Nëse nuk jeni në Regjistrin civil të Kosovës, duhet të dëshmoni sipas pikave 1 dhe 2, dhe pikave 4.1 dhe 4.2 më poshtë.
OSE
4.1 Të keni pasur vendbanimin në Kosovë më 1 janar 1998
Për të dëshmuar vendbanimin tuaj në Kosovë më 1 janar 1998, fotokopja e një dokumenti zyrtar të lëshuar në Kosovë në çdo kohë midis datave 1 janar 1996 dhe 31 dhjetor 1999, do të pranohet si dëshmi. Dokumenti duhet të tregojë qartë datën kur dhe vendin ku është lëshuar, emrin dhe mbiemrin tuaj (ose nëse keni qenë fëmijë i varur, emrin dhe mbiemrin e njërit prind tuaj – në këto raste luteni të siguroni dokumentacion me të cilin dëshmohet lidhja juaj familjare me prindin tuaj, për shembull, certifikata e lindjes). Fotografia nuk është e domosdoshme.
Shembull: libreza e shëndetësisë, libreza e shkollës ose faturat e shërbimeve komunale të dërguara në adresën tuaj në Kosovë gjatë kësaj periudhe, çdo dokument tjetër me adresën tuaj dhe me datë, ose dokumentet zyrtare të refugjatëve që tregojnë largimin tuaj nga Kosova ose arritjen në vendin nikoqir.
SHËNIM:
Nëse jeni larguar nga Kosova para datës 1 janar 1998 dhe nëse ju kanë njohur zyrtarisht si refugjat më 1 janar 1995 ose pas kësaj date, siç përcaktohet me Konventën e vitit 1951 përkitazi me statusin e refugjatëve, ju lirohen nga kërkesa e vendbanimit e datës 1 janar 1998. Kur të aplikoni, luteni të dërgoni dëshmi për statusin tuaj.
Nëse nuk mund të dëshmoni statusin e refugjatit dhe jeni larguar nga Kosova para datës 1 janar 1998, ju nuk keni zotësi juridike të votoni përmes postës.
Shembull: dokumenti zyrtar nga vendi nikoqir me të cilin vërtetohet statusi juaj i refugjatit.
DHE
4.2 Të mund ta dëshmoni CILINDO nga kriteret vijuese:
a. Të jeni lindur në Kosovë
Dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar në të cilin tregohet se jeni lindur në Kosovë.
Shembull: pasaporta e lëshuar nga RFJ-ja ose ndonjë shtet i huaj, letërnjoftimi i lëshuar nga RFJ-ja ose ndonjë shtet i huaj, certifikata e lindjes, libreza e shkollës, libreza e shëndetësisë, dokument i ushtrisë, etj.
OSE
b. Të keni njërin prind të lindur në Kosovë
Nëse njëri ose të dy prindërit tuaj janë lindur në Kosovë, mund të keni zotësi juridike për të votuar. Për të dëshmuar zotësinë tuaj juridike, luteni të dërgoni fotokopjen e dokumentit zyrtar me të cilin dëshmohet se prindi juaj ka lindur në Kosovë (si në 4.2.1) dhe po ashtu dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar në të cilin tregohet lidhja juaj familjare me prindin tuaj.
Shembull: Letërnjoftimi i lëshuar nga RFJ-ja, certifikata e lindjes, etj.
OSE
c. Të keni jetuar në Kosovë së paku gjatë pesë (5) viteve radhazi
Për të dëshmuar se keni jetuar në Kosovë së paku gjatë pesë viteve vijuese, luteni të dërgoni fotokopjen e së paku dy, e preferohet tri dokumenteve zyrtare të lëshuara në Kosovë. Këto dokumente duhet të kenë data dhe të përfshijnë adresën tuaj (nëse ka mundësi) dhe së bashku duhet të përfshijnë së paku periudhën prej pesë vjetësh. Fotografia nuk është e domosdoshme.
Shembuj: Faturat e shërbimeve komunale ose korrespondenca zyrtare në adresën tuaj në Kosovë, libreza e shkollës, libreza e shëndetësisë, libreza e punësimit, etj.
OSE
d. Të jeni dëbuar nga Kosova prandaj nuk keni pasur mundësi të banoni në Kosovë gjatë një periudhe vijuese prej pesë vjetësh
Nëse jeni detyruar të largoheni nga Kosova, mund të keni zotësi juridike të regjistroheni për të votuar. Kur të aplikoni, luteni të paraqitni dëshmi se jeni dëbuar nga Kosova (shembull: fotokopjen e dokumenteve zyrtare të refugjatëve). Me aplikacionin tuaj, luteni po ashtu të dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar të lëshuar në Kosovë e që ka datën dhe, nëse ka mundësi, adresën/at tuaja.
Shembull: shih 4.1.3.
OSE
e. Të jeni fëmijë në varësi nën moshën 18-vjeçare (por që do t’i mbushni 18 vjet deri në Ditën e Zgjedhjeve) të personit të regjistruar në Regjistrin civil në Kosovë
Nëse jeni nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, por do t’i mbushni tetëmbëdhjetë (18) vjet përpara ose më datën 12 dhjetor 2010, dhe vareni nga një person i cili është në Regjistrin Civil të Kosovës, ju mund të aplikoni për të votuar. Luteni të dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar, me të cilin dëshmohet identiteti juaj (si nën numrin 1 më lartë) së bashku me fotokopjen e një dokumenti zyrtar me të cilin dëshmohet identiteti dhe statusi i regjistrimit civil të prindit tuaj të regjistruar (shembull: dokumenti i identifikimit i prindit tuaj i lëshuar nga Kosova/UNMIK-u ose dëftesa e regjistrimit). Me aplikacionin tuaj, luteni po ashtu të dërgoni fotokopjen e një dokumenti zyrtar në të cilin tregohet lidhja juaj familjare me prindin tuaj (shembull: certifikata e lindjes, pasaporta e lëshuar nga RFJ-ja, letërnjoftimi i lëshuar nga RFJ-ja, etj.)
SHËNIM: Duhet t’i mbushni 18 vjet deri më datën 12 dhjetor 2010 që të mund të votoni në këto zgjedhje.
OSE
f. Të jeni person në varësi nën moshën 23-vjeçare, i një personi të regjistruar në Regjistrin civil të Kosovës dhe të jeni student i rregullt i një institucioni të njohur të arsimit
Nëse jeni nën moshën njëzetetre (23) vjeçar jeni regjistruar në një institucion të njohur të arsimit dhe vareni nga një person i regjistruar në Regjistrin civil të Kosovës, mund të aplikoni për të votuar. Luteni të dërgoni një fotokopje të një dokumenti zyrtar me të cilin ju dëshmohet identiteti (si nën numrin 1 më lartë) së bashku me një fotokopje të një dokumenti zyrtar me të cilin dëshmohet identiteti dhe statusi i regjistrimit civil të prindit tuaj të regjistruar (shembull: dokumenti i identifikimit i prindit tuaj i lëshuar nga Kosova/ UNMIK-u ose dëftesa e regjistrimit civil). Me aplikacionin tuaj luteni po ashtu që të dërgoni një fotokopje të një dokumenti zyrtar në të cilin tregohet lidhja juaj familjare me prindin tuaj (shembull: certifikata e lindjes, pasaporta e lëshuar nga RFJ-ja, letërnjoftimi i lëshuar nga RFJ-ja, etj.). Po ashtu duhet të dërgoni një fotokopje të një dokumenti zyrtar për të dëshmuar regjistrimin në studime të rregullta në një institucion të njohur të arsimit (shembull: dokumenti i identifikimit të studentit, dokumenti i regjistrimit, etj.)
Kontaktoni tavolinën ndihmëse të OVPP-së në:
+ 381 (0)38 552 452
+ 381 (0) 38 552 453
Fax: + 381 (0) 38 552 453
Email: ovpp@kqz-ks.org |